Mbreti Zogu I
Zogu I | |||||
---|---|---|---|---|---|
Mbreti i Shqiptarëve | |||||
Mbretërimi | 1 shtator 1928 – 9 prill 1939 (i rrëzuar zyrtarisht më 2 janar 1946)[1] | ||||
Paraardhës | Vetë ai si President | ||||
Pasardhës | Viktor Emanueli III | ||||
Presidenti i Shqipërisë | |||||
Në zyrë | 31 janar 1925 – 1 shtator 1928 | ||||
Paraardhës | Zyra u themelua (de facto) Vilhelm I (de jure, si Prince) | ||||
Pasardhës | Vetë ai si Mbret | ||||
Kryeministri i Shqipërisë | |||||
Mandanti i parë | 26 dhjetor 1922 – 25 shkurt 1924 | ||||
Paraardhës | Xhafer Ypi | ||||
Pasardhës | Shefqet Vërlaci | ||||
Mandanti i dytë | 6 janar 1925 – 1 shtator 1928 | ||||
Paraardhës | Ilias Vrioni | ||||
pasardhës | Kostaq Kotta | ||||
Bashkëshort | Géraldine Apponyi de Nagyappony | ||||
Fëmijë | Leka, Princi i Kurorës së Shqipërisë | ||||
| |||||
Shtëpia | Zogu | ||||
I ati | Xhemal pashë Zogolli | ||||
E ëma | Sadije Toptani | ||||
U lind | Ahmed Muhtar bej Zogolli 8 tetor 1895 Kalaja e Burgajetit, Burreli, Perandoria Osmane | ||||
Vdiq | 9 prill 1961 (65 vjet) Suresnes, Paris, Francë | ||||
Varrimi | Mauzoleumi i Familjes Mbretërore | ||||
Besimi | Islami Synit | ||||
Nënshkrimi |
Nalt Madhnija e Tij Zogu I, Mbreti i Shqiptarëve (Burgajet, 8 tetor 1895 – Paris, 9 prill 1961) i lindur Ahmed Muhtar bej Zogolli, pas vitit 1922 thjesht Ahmet Zogu, ishte udhëheqësi i Shqipërisë nga 1922 deri më 1939. Ai së pari shërbeu si kryeministër shqiptar (1922–1924), pastaj si president (1925–1928), dhe së fundi si mbret (1928–1939).
I lindur në gjirin e një oxhaku derebejsh, Zogu qe aktiv në ngjarjet e vendit që në moshë të re. Në krye të matjanëve u nis të ndihmonte qëndresën në mbrojtje të Shkodrës gjatë Luftës së Parë Ballkanike, më tej gjatë Luftës së Parë Botërore luftoi përkrah ushtrisë austro-hungareze që kishte pushtuar dhe administronte një pjesë të territoreve shqiptare. U syrgjynos prej autoriteteve të tyre ushtarake në Vjenë ku fitoi përvojë. Pas Kongresit të Lushnjes drejtoi ministri dhe iu besua formimi i një kabineti. Në 1924 u dëbua në mërgim pas kthesa demokratike e Lëvizjes së Qershorit. Por u kthye pas gjashtë muajve i mbështetur nga britanikët, jugosllavët dhe një njësi të ushtrisë cariste. U rivendos kryeministër për pak kohë, më pas u vendos republika i së cilës u caktua president. Më 1928 Shqipëria u shpall mbretëri dhe Zogu mbret i saj. U martua me konteshën Geraldina Appony, së bashku patën një djalë, Lekën.
Pas 1924, me dy paktet e Tiranës varësia fiskale e Shqipërisë ndaj Italisë u rrit duke kushtëzuar disa vendimmarrje të brendshme, por duke lehtësuar presionin e fqinjëve ballkanikë. Më 1928 u miratuan kodet e rëndësishme ligjore për modernizimin dhe laicizimin e shtetit shqiptar. Përpjekja për shkollimin e të rinjve u rrit, duke themeluar gjimnaze të forta shtetërore si ai i Shkodrës dhe i Tiranës, duke u mundësuar disa bursa për studime kryesisht në Austri, Itali dhe Francë. Kriza e viteve '30 e ngadalësoi ndjeshëm ecurinë e përpjekjeve modernizuese.
Pas pushtimit italian e shkoi jetën e tij në mërgim, sa në Greqi, Turqi, Angli, Egjipt, Shtetet e Bashkuara dhe Francë ku ndërroi jetë.
Jetëshkrimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Prejardhja dhe hapat e parë politik
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në kalanë e Burgajetit, në Perandorinë Osmane, djali i dytë i Xhemal pashë Zogollit, por djali i parë nga gruaja e dytë, Sadije hanëm Toptani. Nga lisi i gjakut rrjedhte nga oxhaku i derebejve të Matit, të njohur prej katër shekujsh si bajraktarë të fiseve të atjeshme dhe, prej tre shekujsh, edhe si kajmekamë të trashëguar si mëkëmbës vendorë të sanxhakbeut të Ohrit dhe pas 1840 të valiut të Shkodrës.[2] Nga ana e nënës vinte nga Toptanët e Pishës, degë dytësore e bejlerëve të Krujës dhe Tiranës.[3]
Si datë e lindjes është dhënë 8 tetori, kurse si vit i lindjes janë dhënë 3 vite të ndryshme: 1891, 1895 ose 1898. Zogu konsideronte të saktë datën 8 tetor 1895.[4] Mësimet e para i mori në vendlindje nga mësuesit privatë Hysen efendi Çeka nga Elbasani për gjuhën shqipe dhe nga Hafiz Muharremi nga Dibra për gjuhën turke,[5] deri në moshën 13 vjeçare. Më 1903, u largua për në Stamboll me vetëm një shoqërues,[6] Lalë Krosin,[7] dhe filloi studimet në "Numenu Tereki", e më pas vazhdoi shkollën e oficerëve.[8] Pasi u gradua oficer, ndoqi dhe kreu gjithashtu liceun francez Gallatasaraj në kryeqytetin perandorak.[9][10] Qëndroi në Stamboll deri në fund të pranverës të vitit 1912, kur mësimet shkollore u mbyllën për pushimet verore.[4] Kur u kthye në vendlindje, më 17 gusht 1912, mënjanoi me ngadalë vëllain, Xhelal beun, dhe i siguroi vetes parësinë e krahinës së Matit[11] duke marrë titullin Myhtar.[12]
1912-1919
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në fillim të konfliktit ballkanik, megjithatë për shkak të gjyshit dhe të babait respektohej si kreu i Zogollëve të Burgajetit të Matit, prandaj ishte njëri ndër 3 përfaqësuesit e Matit që morën ftesë për të përfaqësuar krahinën e tyre në Kuvendin e Vlorës, së bashku me Riza Çelën dhe Kurt Kadinë.[4][11][13] Asnjëri prej tyre nuk arriti në Vlorë. Zogu dhe delegatët e Matit arritën në Elbasan më 1 dhjetor, tri ditë pasi ishte shpallur pavarësia, kurse me 2 dhjetor arritën në Lushnjë. Aty dëgjuan për mizoritë e serbëve në Lumë dhe afrimin e ushtrive serbe në Mat, prandaj e ndërprenë udhëtimin drejt Vlorës dhe u kthyen në Mat. Nga Lushnja, Ahmet Zogu i dërgoi një telegram Ismail Qemalit dhe e porositi të nënshkruante deklaratën e pavarësisë në emër të tij, gjë që Qemali nuk e bëri.[4] Gjatë Luftës së Parë Ballkanike organizoi forcat e tij në Kakarriq kundër forcave serbo-malazeze.[8]
Në vitin 1913, ndërmori një vizitë për në Vlorë për t’u takuar me Ismail Qemalin, por mbeti i zhgënjyer nga plani i Qeverisë për reformat administrative moderne që do të zbatoheshin në tërë Shqipërinë, përfshirë dhe Matin. Për Zogun, reforma të tilla nënkuptonin humbjen e pushtetit personal që derebejtë si oxhaku i Zogollëve ushtronin prej shekujsh në krahinat e tyre. Prandaj u bashkua me kushëririn e tij, Esat pashë Toptanin. Zogu nuk pranoi që autoriteti i Qeverisë së Vlorës të shtrihej në Mat. Me të formuar Esati "Pleqësinë e Durrësit", u solidarizua me të, sepse Pleqësia njihte pushtetet lokale të qeveritarëve krahinorë.[4]
Shtatorin e 1914 ndihmoi kushëririn e tij, Esad pashë Toptanin, me 1500 matjanë, të kryesuar nga i vëllai, Xhelal beu, për të luftuar rebelët në Kryengritjen e Shqipërisë së Mesme,[14] por pësuan disfatë pranë Krujës dhe u kthyen në Durrës.[15] Më 1916 ndërmori nismën që të organizonte një kongres kombëtar në Elbasan[8] me ndihmën e ushtrisë bullgare të vendosur në qytet me Aqif pashë Elbasanin. Përhapi lajmin në parinë shqiptare, duke synuar të përtërinte punën e Kuvendit të Vlorës, të pohonte besnikërinë ndaj Princ Vidit dhe të rivendoste administratën shqiptare në shpresën që do t'i njihej autonomia nga autoritetet austro-hungareze që ishin vendosur në Shkodër. Nga karantina e vendosur në qytet për shkak të shpërthimit të murtajës, u tërhoq në Mat. Administrata austro-hungareze e bindi të rekrutonte dhe komandonte vullnetarë kundër italianëve me gradën e kolonelit të ushtrisë mbretërore e perandorake. Por me vijimin e planeve për autonominë shqiptare, autoritetet austro-hungareze e mërguan në Austri në janarin e 1917 duke e parë si të dëmshëm për politikën austro-hungareze në Shqipëri asokohe.[16][17] Qe pjesë e delegacionit ceremonial shqiptar, si përfaqësues i Matit, që i ofroi nderimet kurorëzimit të perandorit Karli I; delegacioni shqiptar u prit në dëgjesë nga perandori i ri, dhe Zogu u dekorua. Në pamundësi për të ikur nga kryeqyteti perandorak, sepse shihej si dezertim, mundi të kthehej në atdhe vetëm pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore.[16] Qëndroi deri në dhjetor 1919 në Vjenë, ku fitoi përvojë të veçantë në oborrin perandorak austro-hungarez,[8] dhe u kthye duke zotëruar gjermanishten.[16]
1920-'24
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në Kongresin e Lushnjës u ftua të merrte pjesë si delegat i Matit.[18] Ndryshe nga delegatët e tjerë të cilët shkuan atje me revolver në brez ose me 2-3 trima të armatosur, Zogu mori me vete në Lushnjë 100 matjanë kurse 200 të tjerë i la në Tiranë.[19] Kongresin e garantoi me besnikët e tij matjanë.[8][20] U caktua Ministër i Brendshëm, për arsye se, e kishte të mundur ta krijonte brenda disa ditëve xhandarmërinë duke rekrutuar "vullnetarët" e tij.[21] Xhandarmëria me të cilën kishte lidhje personale, që nga ky moment, u bë pikënisje e forcimit të pushtetit të tij personal. Ai shtoi radhët e saj me anë të miqve të vet. Pati suksese në vendosjen e rendit publik dhe në organizimin brenda disa javëve të administratës shtetërore në gjithë vendin.[22] Më 20 shkurt 1920 bëri t'i dorëzohen arkivat nga Qeveria e Durrësit dhe marsin vijues, hyri në Shkodër me Hoxha Kadrinë, duke e marrë në dorëzim të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjes.[23] Si Ministër i Brendshëm dhe komandant i fuqive shtetërore, u angazhua në Luftën e Koplikut.[24]
Më 5 prill 1921 u zgjodh deputet i Partisë Popullore në Këshillin Kombëtar. Më 4 nëntor 1921, u emërua nga qeveria e Pandeli Evangjelit komandant i operacioneve ushtarake për të shtypur rebelimin e Mirditës. Emërimi i tij pa lejen e Këshillit të Naltë shkaktoi krizë politike në dhjetor 1921. Më 14 dhjetor 1921, pas tejkalimit të krizës u kthye në Tiranë. Më 25 dhjetor 1921 u emërua sërish ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Xhafer bej Ypit.[25]
Më 2 dhjetor 1922,[26] Zogu u emërua kryeministër duke mbajtur në të njëjtën kohë postin e ministrit të brendshëm.[27]
Zogu përkrahu orvatjet e Beogradit për të eliminuar Zonën Neutrale të Junikut në Kosovë në fillim të vitit 1923, vend ku ishin strehuar udhëheqësit e rezistencës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës. Më 9 janar 1923, Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë lëshoi urdhrin që Bajram Curri, Hasan Prishtina, Hoxhë Kadri Prishtina, Sadik Rama dhe udhëheqësit e çetave kaçake të vriteshin. Më 30 janar, me udhër të Zogut, u hodhën nga Shqipëria në Zonën Neutrale të Junikut forcat ushtarake shqiptare. Për të shmangur vëllavrasjen, Hasan Prishtina, i këshilloi drejtuesit e çetave kryengritëse shqiptare të tërhiqeshin. Që nga kjo kohë lëvizja kaçake në Kosovë shkoi duke rënë, për shkak se nuk kishte as mbështetje morale nga Tirana, as vend ku të strehoheshin kaçakët.[28]
Gjatë viteve si kryeministër dhe ministër i brendshëm, me anë të lidhjeve që krijoi me krerët e institucioneve administrative të emëruara nga ai, vuri nën kontroll të tij mbarë vendin. Qarqet demokratike e akuzuan se synonte të vendoste pushtetin personal.[27] Zogu i kushtoi rëndësi vendosjes së rendit publik, duke mos kursyer asnjë mjet. Gjithashtu ndërmori edhe një fushatë çarmatimi, e cila u shoqërua me dhunë, gjithashtu shtypi revoltat që shpërthyen në këtë periudhë.[29]
Kriza politike e qeverisë së Zogut u përshkallëzua gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 27 dhjetor 1923, kur Zogu, duke parandier humbjen, përdori falsifikimin e votave, korrupsion dhe terror ndaj zgjedhësve.[30]
Më tej dha dorëheqjen, dhe, pas vrasjes së Rrustemit, gjendja u acarua. Në maj–qershor 1924 opozita organizoi Lëvizjen e qershorit. Qeveria Vrioni që u rrëzua më 10 qershor 1924 e kishte emëruar ditët e fundit të saj, komandant për shtypjen e grushtit të shtetit në veri. Në qershor 1924, u largua për në Jugosllavi me qindra përkrahës të tij. Gjykata politike e kundërshtarëve të tij politikë e dënoi me vdekje në mungesë më 10 nëntor të po atij viti.[31]
Zogu me anë të emisarëve të tij u premtoi italianëve se po të rikthehej në pushtet do të ndiqte një politikë të orientimit drejt Italisë.[32]
I mbështetur nga Beogradi,[33] në fillim të dhjetorit 1924, Zogu iu afrua anës jugosllave të kufirit me Shqipërinë.[34] Hyri në Shqipëri me përkrahjen e bjellogardistëve kundër-revolucionarë të gjen. Vrangel, të drejtuar nga kol. Ullagaj[35] dhe me vullnetarë shqiptarë të rekrutuar në viset shqiptare të zonave të ndikimit të Begollajve të Pejës, kunatit Ceno bej Kryeziu dhe pjesën më të madhe të parisë dibrane.[36]
Sundimi i tij, 1925-39
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Me t'u kthyer në Shqipëri, u rivendos qeveria Vrioni dhe u shpall "Triumfi i Legalitetit". U vendos gjendja e jashtëzakonshme, u hoq liria e fjalës dhe e shtypit, u shpërndanë organizatat politike, u përndoqën kundërshtarët e qeverisë, u internuan familjet e të arratisurve dhe të atyre që i strehonin. Më 6 janar 1925, Zogu që kishte marrë në duar tërë pushtetin u emërua prapë kryeministër.[37]
Më 21 janar 1925 e shpalli Shqipërinë republikë. Dhjetë ditë më vonë, Asambleja e shpalli kryetar të republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i qeverisë.[38]
President
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në dhjetor 1924, pasi u rikthye në pushtet me paratë dhe armët e serbëve, i duheshin para dhe krahë të fortë për ta ruajtur dhe për të qëndruar gjatë në pushtet. Midis Italisë dhe Jugosllavisë, zgjodhi Italinë, e cila ishte më e fortë dhe më e pasur se Jugosllavia. Gjatë konsolidimit të pushtetit të Zogut në vitet 1925-1928, kishte shumë pragmatizëm e shumë pak kujdes për të mbrojtur interesin kombëtar. Në këmbim të ndihmave financiare italiane, Zogu i dha Musolinit bazën juridike të kontrollit të ekonomisë shqiptare, të kufizimit të sovranitetit në politikën e jashtme dhe të drejtën për të ruajtur integritetin territorial të Shqipërisë. Traktatet e vitit 1926 dhe vitit 1927 për Aleancën mbrojtëse, shënuan fillimin e proteksionizmit italian.[39]
Mbret i Shqiptarve
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Këshilltari i tij ishte Mehmed Orhan. Për të siguruar vazhdimësinë e sundimit të tij vendosi ta shpallte veten mbret dhe për këtë siguroi përkrahjen e Italisë dhe Britanisë së Madhe.[40] Për të hequr pengesat e brendshme, gjatë viteve 1925-1927 eliminoi kundërshtarët e brendshëm nga kampi i artistokracisë çifligare. Në prag të shpalljes së mbretërisë u sajuan disa rrethana të cilat gjoja e rrezikonin regjimin. Zyrtarët e tij "zbuluan" në disa qytete të Shqipërisë persona të cilët gjoja kishin përgatitur atentate ndaj Zogut, të cilat më pas u ekzekutuan.[41] Më 1 shtator 1928, Asambleja Kushtetuese e mbushur me partizanë zogistë e shpalli Shqipërinë mbretëri dhe Ahmet Zogun mbret.[40] Mbretëria shqiptare falë ndihmës së dhënë nga Anglia dhe Italia u njoh nga qeveritë e huaja, madje edhe ajo e Jugosllavisë, por qeveria e Turqisë nuk pranoi ta njihte dhe marrëdhëniet mes dy vendeve u ftohën.[42]
Zogu betimin e bëri mbi Kuranin dhe Biblën:
- “Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hudh kambën mbi Thronin e Mbretnís Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajtë Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.
Pas shpalljes së mbretërisë, më 5 shtator u krijua qeveria e parë e Mbretërisë Shqiptare.[42] Gjatë viteve të monarkisë administrata shtetërore u forcua më tepër megjithëse jo me rrugë demokratike, por me mjete autoritare. Pluralizmi politik u asgjësua. Pati përndjekje politike, burgosje dhe internime. Vendi u shoqërua me trazira të brendshme. Në vitin 1932 ndodhi lëvizja e Vlorës, më 1935 Kryengritja e Fierit, më 1937 rebelimi i Delvinës.[43]
Pushtimi i Shqipërisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mëngjesin e 7 prillit 1939 filloi agresioni ushtarak italian kundër Shqipërisë.[44] Një orë e gjysmë para sulmit, mbreti e nisi mbretëreshën me të birin për në Greqi.[45] Mëngjesin e 7 prillit mbreti dhe ministrat e tij kishin braktisur zyrat nga frika e bombardimeve dhe ishin mbyllur në shtëpi. Nga aty i dha udhëzimet e fundit përfaqësuesit që u nis për të biseduar me gjeneralin italian Guxoni në Durrës. Më pas Zogu urdhëroi të hartohej një thirrje drejtuar shqiptarëve e cila u transmetua në Radio Tiranë afër drekës, pasi kishin arritur njoftimet për pushtimin e Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Shëngjinit. Thirrja akuzonte Italinë se kishte shkelur traktatet në fuqi, marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve dhe pavarësinë e Shqipërisë. Mbreti ftoi popullin të bashkohej për shpëtimin e atdheut dhe pavarësisë, për t'u mbrojtur deri në pikën e fundit të gjakut.[46][44] Ky ishte akti i fundit zyrtar i Zogut. Tri orë pasi u kishte bërë thirrje qytetarëve për të luftuar dhe ishte betuar që qeveria do të luftonte për çdo pëllëmbë tokë, mbreti Zog u largua nga Tirana në krye të një karvani të madh qeveritar. Natën arriti në Zemblak ku qëndroi për të pushuar dhe mesditën e 8 prillit kaloi kufirin në Kapshticë.[47]
Në mërgim mbajti qëndrim të rezervuar ndaj rezistencës antifashiste shqiptare.[48]
Mërgimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sapo kaloi kufirin e shpërndau qeverinë duke e lënë Shqipërinë pa qeveri antifashiste në mërgim.[49] Mbërritën në Follorinë dhe ndenjtën tri javë në mënyrë që Mbretëresha Geraldinë të merrte veten nga lindja. Më 2 maj ia mbajtën për në Stamboll me 115 mërgimtarë, ku qëndruan dy muajt e ardhshëm. Më 15 qershor lajmërohet që i ishte siguruar azil politik në Britaninë e Madhe, për ku u nis më 30 qershor me 19 shoqërues nga Stambolli për në Konstancë. Nga Konstanca për në Varshavë, Gdinja, Rigë, Stokholm, Oslo, Anversë dhe Paris ku mbërritën më 8 gusht. U vendosën në Château de la Maille në Versajë, ku qëndruan deri kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, në shtator dhe më pas u vendosën në Bretanjë. Me avancimin e trupave gjermane, Zogu me tashmë 35 shoqëruesit e tij u larguan me veturë drejt Bordosë, ku u ndihmuan të iknin me anije nga komandanti Ian Fleming, i shërbimit sekret të marinës britanike dhe mbërritën në Britani më 26 qershor 1940.[50] Në mesin e 1940 Mbreti Zog mbërriti në Britaninë e Madhe me eskortën e vet të përbërë nga 35 vetë, u vendos në hotelin "Ritz".[50][51]
Para largimit, Zogu nuk i shpalli luftë Italisë dhe kjo çoi në trajtimin e Zogut në Perëndim si emigrant i zakonshëm dhe jo si kryetar i një shteti demokratik.[49] Në mërgim Zogu u përball me problemin e legjitimitetit. Asnjë qeveri nuk e njihte si lider të një qeverie në ekzil ose lider të shqiptarëve. [52] Njohja e tij si sovran në mërgim kundërshtohej nga Moska dhe Uashingtoni.[48]
Me kalimin e viteve intrigat e Zogut për tu kthyer në pushtet u bënë gjithnjë e më të dëshpëruara. Në një intervistë të dhënë në janar 1944 Shoqërisë Ango-Hebraike, Zogu premtonte që do të sponzorizonte një plan për vendosjen e hebrenjve në Shqipëri në shkëmbim të ndihmës për tu kthyer në fron. [52]
Më 12 shkurt 1946, u nis në Egjipt mbasi merr një ftesë nga ambasadori egjiptian në Mbreti Faruk i Egjiptit. Në qëndrimin e tij nga shkurti i 1946 e deri në verën e 1955, organizoi Lëvizjen e Legalitetit dhe u përpoq të fitonte mbështetjen e shqiptarëve antikomunistë në mërgim. Në këtë hulli më 25 korrik 1951 udhëtoi për në New York me Princ Tatin me ftesë të shërbimeve sekrete amerikane, me çrast edhe bleu një pronë në Long Island, por iu pamundësua nga autoritetet e emigracionit në Amerikë për shkak të shqiptarëve që donte të merrte me vete. Asokohe, i sëmurë nga kanceri në mushkëri, donte të lëvizte nga Egjipti që kishte ardhur duke u bërë i paqëndrueshëm politikisht. Korrikun e 1955 oborri mbretëror i organizuar nga mbretëresha u zhvendos për në Francë, ku u vendosën në Ville St Blaise në Kanë, buzë Rivierës.[50]
Ahmet Zogu ndërroi jetë më 9 prill 1961 në spitalin Foche në Suresnes, pranë Parisit. U shti në dhé në varrezat në Thiais. I biri, Princ Leka, u shpall mbret i shqiptarëve në një ceremoni në mërgim në hotelin Bristol në Paris.[50]
Riatdhesimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Për qindvjetorin e pavarësisë, qeveria Berisha e rehabilitoi Mbretin Zog duke riatdhesuar eshtrat e tij në mauzoleumin e ri në Tiranë.[53]
Trashëgimia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Politike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Politika autoritare e Zogut (1925-1939) solli njëfarë stabiliteti, duke konsoliduar aparatin shtetëror dhe luajtur rol të rëndësishëm në formësimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.[54] Qershorin e 1925 organizoi në Namazgjah të Tiranës pritjen e 540 krerëve tradicionalë të bajrakëve e maleve, edhe armiq të betuar të Presidentit të ri, dhe u kërkoi besën që të rronin paqësisht me njëri-tjetrin, të dorëzonin armët, të mos bënin vetëgjyqësi, por t'ia linin shtetit tagret e së drejtës,[55] duke arritur kështu stabilitetin duke u ujdisur me krerët e tjerë vendorë, si bejlerët dhe shehlerët;[56] i përkrahu komunitetet fetare, duke i çmuar edhe si mur mbrojtës kundrejt bolshevizmit.[57] Rikthimi i tij në pushtet dhjetorin e 1924 është konsideruar nga ndonjë historian si "pengesa më serioze për përhapjen e komunizmit në Shqipëri".[58] Zgjedhja president u shoqërua me një amnisti të gjerë për shumë të arratisur dhe të burgosur, duke u përpjekur të pajtonte të kaluarën me të tashmen.[55] Vazhdimi i amnistive më 1927, 1932 qe baza e asaj që Zogu quante "pajtim kombëtar"; me 10-vjetorin e Mbretërisë Shqiptare në shtator 1928, u shpall falja e përgjithshme për të arratisur politikë.[59]
Të tjerë e kanë hedhur poshtë argumentin e stabilitetit duke vënë në pah se vendi u trondit disa herë nga trazira dhe kryengritje.[60] Po këto e shohin se de facto e shndërroi Shqipërinë në monarki absolute. Ai përqendroi në duart e veta, diku haptazi e diku tërthorazi, pushtetet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.[61] Gjatë sundimit të tij, Shqipëria u bë koloni ekonomike e Italisë dhe kjo e fundit kishte edhe ndikim politik.[62]
Arratisja e Zogut në prill 1939 pas sulmit të Italisë fashiste është kritikuar ashpër dhe është quajtuar dezertim. Ikja e tij e pazakontë e dëmtoi popullaritetin e tij të mbetur. Sipas Fischer, po të kishte qëndruar dhe po të kishte organizuar rezistencën do t'i kishte bashkuar shqiptarët dhe do të kishte lënë përshtypje më të mirë në histori, mirëpo pas zbarkimit të italianëve dhe ikjes së mbretit pothuajse tërë shqiptarët iu dorëzuan fatit të pashmangshëm. Zhdukja e Zogut dhe kolapsi i rezistencës u mundësoi italianëve që me 8 prill ta marrin Tiranën pa u shkrepur asnjë plumb i vetëm.[63] Arratisja e Zogut është dënuar edhe nga liderë të së djathtës shqiptare, të cilët e akuzojnë për prerje në besë të shqiptarëve. Po të kishte qëndruar, thotë Abas Ermenji, forcat e reja do t'ishin mbledhur rreth Zogut, do t'ishte krijuar një tjetër bosht përqendrimi dhe do t'i ishte prerë Udha komunizmit.[64]
Socio-ekonomike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vitin 1939, kur mbreti Zog iku në mërgim, Shqipëria mbetej vendi më i varfër, më i izoluar dhe më i prapambetur në Evropë. Mungesa e talentit konstruktiv të Zogut, paaftësia e tij për të kuptuar ekonominë moderne ose për të gjetur këshilltarë që e kuptonin dhe dështimi i tij për të zgjidhur çështjën e bujqëve e lanë Shqipërinë shumë prapa vendeve tjera evropiane. Më shumë se 80% e popullsisë merrej me bujqësi dhe blegtori në një vend ku vetëm 11% e tokave ishin të punueshme. Bujqësia dhe blegtoria ishin në nivel mesjetar. Përpjekjet e pasuksesshme të Zogut për të bërë reforma agrare e lanë pjesën dërrmuese të tokave në duart e feudalëve myslimanë dhe urdhrave fetarë. 60% e tokave të punueshme në Shqipëri ishin në duart e vetëm 150 pronarëve të mëdhenj. Të paktën 40% e fshatarëve ishin pa tokë dhe jetonin në varfëri të skajshme.[65]
Edhe kushtet shoqërore mbetën në nivel primitiv. Në veri ende bënte kërdinë gjakmarrja. Në jug, toskët e varfër trajtoheshin si bujkrobër nga feudalët myslimanë.[65] 15% e popullsisë jetonte në qytete. Vetëm Durrësi, Vlora dhe Tirana dukeshin si qytete evropiane, sidomos kjo e fundit ishte rritur shumë shpejt pasi u caktua kryeqytet i Shqipërisë dhe në vitin 1939 numëronte 30 mijë banorë. Në qendër të Tiranës ishin ngritur nga italianët disa ndërtesa qeveritare dhe Hotel Dajti.[65] Paratë e huave italiane nuk u shpenzuan në mënyrë të duhur; udhët dhe urat e konstruktuara i shërbenin në radhë të parë qëllimeve ushtarake italiane; godinat e ndërtuara nuk ishin të domosdoshme duke përfshirë godina qeveritare fashiste mburravece dhe një pallat për mbretin Zog. Nuk u investua në kanalet e ujitjes dhe në kanalizime, të cilat ishin nevojat kryesore.[66]
Kushtet e jetesës ishin të mjera. Të ushqyerit ishte i dobët, shërbimet e shëndetit publik nuk ekzistonin, njerëzit ishin të rrezikuar nga sëmundjet.[65] Zija e bukës ishte dukuri kronike në Shqipëri. Në vitin 1935 mori përmasa më të mëdha. Me mijëra burra, gra dhe fëmijë të uritur dhe të zhveshur grumbulloheshin para dyerve të prefekturave dhe kërkonin misër. Rrugët mbusheshin me turma fëmijësh të uritur që lypnin bukë.[67] Si pasojë e keqësimit të gjendjes ekonomike të popullit, të mungesës së ushqimit dhe të gjendjes së rëndë sanitare në vend u përhapën tuberkulozi, malarja, skarlatina, fruthi, sifilizi etj. U rrit vdekshmëria e fëmijëve.[68] Edukimi ishte i mangët. Shqipëria kishte shkallën më të lartë të analfabetëve në tërë Evropën, me 85%. Në Shqipëri nuk kishte universtet dhe kishte fare pak shkolla të larta.[65] Për arsimin dhe kulturën shpenzoheshin shuma të vogla të buxhetit të cilat për shkak të krizës ekonomike u shkurtuan edhe më shumë për të mbuluar deficitin buxhetor.[67]
Censura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shtypi ishte nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme. Në shtyp mund të kritikoheshin nëpunësit e vegjël por jo Mbreti, Qeveria, parlamenti apo gjykatat. Zogu nuk lejoi të krijohen parti politike opozitare.[69]
Kosova
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Figurat politike kosovare si Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe Hysni Curri e akuzonin Zogun si filoserb.[70] Pasi Komiteti i Çlirimit të Kosovës doli nga Komiteti i Çlirimit Nacional më 1930, krerët e KÇK-së kthehen në atdhe dhe Zogu kërkoi të zgjedhë rrugën e marrëveshjes me ta. Nëpërmjet njerëzve të tij të besuar, si Salih Vuçitërni dhe Dom Gjon Bisaku, Zogu e futi çështjen e Kosovës në tabanin kombëtar, përkrahu përkujtesën "Gjendja e pakicës shqiptare në Jugosllavi" që klerikët katolikë D. Bisaku, D. Shtjefën Kurti dhe D. Luigj Gashi ua nisën sekretarit të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, Erik Drymund. Zogu përkrahu gjithashtu të përkohshmen Kosova me redaktor Gjergj Bubanin, e që shtypej në Rumani, e që shërbente thuajse si organi zyrtar i Komitetit të Kosovës.[71]
Hebrenjtë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Nga 1932 u bënë përpjekje diplomatike disapalëshe për nisjen e strehimit të hebrenjve përpjestimisht me territorin dhe popullatën shqiptare. Qindra hebrenj hynë në territorin shqiptar gjatë periudhës 1932-1939 me viza të rregullta të lëshuara prej zyrave konsullore shqiptare. Politika prohebraike e administratës së Zogut vijoi edhe në mërgimin e tij përfundimtar, ku pati premtuar se, po të rikthehej në pushtet, në këmbim të mbështetjes dhe simpatisë britanike "do të mundësonte strehimin e mbi 25 mijë familjeve hebraike në vendin e tij".[72]
Mërgimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në Perëndim si emigrant i zakonshëm dhe jo si kryetar i një shteti demokratik. U largua nga Shqipëria pa bërë asnjë deklaratë dhe sapo kaloi kufirin e shpërndau qeverinë duke e lënë Shqipërinë pa qeveri antifashiste në mërgim.[49] Ikja e tij krijoi në Shqipëri vakuum institucional, i cili i dha mundësi Musolinit për të manipuluar statusin politik të Shqipërisë sipas interesave të Italisë fashiste. Më 12 prill një Asamble Kombëtare e përbërë nga kolaboracionistë të rekrutuar nga qarqet monarkiste zogiste dhe qarqet antizogistë në emigracion shpalli se në Shqipëri nuk kishte ndodhur okupacion ushtarak, por vetëm ndërrim i kreut të shtetit.[73] Qe mjaftueshëm aktiv në shtypin perëndimor, në të cilin numëroheshin dhjetëra intervista dhe shkrime për të në gazetat më të njohura britanike. Në një intervistë për gazetën Manchester Guardian më 12 shtator 1942, lakoi mundësinë për një Federatë Ballkanike.[51] Njohja e tij si sovran në mërgim kundërshtohej nga Moska dhe Uashingtoni.[48]
Komiteti i Fshehtë i Stambollit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vjeshtën e 1940 disa përkrahës të Zogut në Stamboll formuan Komitetin e Fshehtë, të organizuar nga kol. Stërling me pjesëmarrës Konicën, Merxhanin, Hiqmet Delvinën, A. Sylën dhe Dibrën. Detyra e tij ishin të merreshin me çështjet shqiptare si dhe anglezët të kishin një organ informativ. Për komitetin kishte dijeni Musa Juka. Komiteti paguhej nga një zyrë angleze që quhej EAC (Economic Advisory Committee).[74]
Atentatet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 23 shkurt 1924 për shkak se Zogu me anë të një koalicioni me independentistët siguroi një shumicë të re, iu organizua një atentat brenda Kuvendit Kushtetues, ku gjatë hyrjes i bëri pritë Beqir Valteri. Dorasësi qëlloi tri herë e Zogu mori dy plumba kalimthi, njëri në kofshë dhe tjetri në baqth. Plagët iu lidhën përkohësisht nga dr. Simonidhi.[75] Pasi atentatori mori garancinë personale, doli përzierja e Avni Rustemit në atentat, komplotin e kishin organizuar 15-20 vetë dhe u burgosën ndër organizatorët Sali Hoxhë Elbasani (Hidri), Sejfulla Malëshova, Omer Nishani, etj.[76]
Më 1927 dështon në embrion një atentat i organizuar nga jugosllavët.[77]
Më 20 shkurt 1931 në një vizitë në Vienë, pasi ndoqi operën "Der Bajazzo" ("Pagliacci") i bëhet një atentat nga Aziz Çami e N. Gjeloshi. Atentatorët qëlluan nëntë herë mbi mbretin dhe suitën e tij, duke vrarë majorin Llesh Topallaj dhe plagosur ministrin e oborrit Eqrem Libohovën, të dy me pasaporta diplomatike jugosllave dhe që ndihmoheshin nga "Bashkimi Kombëtar".[78]
Më 1933 sipas dëshmisë së Ibrahim Çelos, Hasan Prishtina u përpoq ta bindte që t'i bënte atentat Zogut.[79] Mars 1939 dështon plani italian për një atentat kundër tij.[77]
Bashkëkohësit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kur u kurorëzua, Noli e denoncoi si “një krim i urryeshëm ndaj shqiptarëve” nga Viena. Monarkia zogiste ishte një “një farsë e përgatitur në Romë dhe e vënë në jetë në Tiranë”. Bejlerët e dëbuar në lëvizjen rivale “Bashkimi Kombëtar” ishin po aq të indinjuar.
Historiografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më mungesë të burimeve dokumentare dhe të ndikuar nga romanticizimi nacionalist, biografistët e mbretit Zog përdorën narrativa gojëdhanore për ta lashtësuar origjinën e familjes deri në kohën e Skënderbeut. Dy prej tyre, 10 vjet mbretni, 1928-1938 nga Zoi Xoxa dhe Nga notimet e Zogut I Mbretit të shqiptarëve nga adjutanti i tij, kol. Hysen Selmani përmbajnë eulogji, mitndërtimin e heroit rreth figurës së tij si dhe nxjerrjen e origjinës të familjes amësore të Toptanëve nga Topiajt.[80]
Sipas disa historianëve, me 7 prill 1939 grabiti arkën e financës shtetërore.[81] Mbi shumën e saktë ka pasur gjithnjë debate. Sipas disa historianëve, thesari i Shqipërisë gjatë mbretërimit të Zogut ndodhej në Romë, ndërsa sasia e arit e tërhequr ishte e barazvlefshme me rrogën vjetore duke i shtuar përfitimin e shitjes së një pylli në vendlindje.[82] Sipas italianëve mori 550 mijë franga ari, të tjerë flasin për 18 arka me flori, ndërsa burime tjera flasin që mori me vete 50 mijë stërlina por kishte depozituar jashtë shtetit edhe 2 milionë dollarë. Është e dokumentuar zyrtarisht që mëngjesin e 7 prillit para se të largohej nga Tirana mori nga thesari i shtetit një shumë të madhe në ar dhe monedha ari që arrinin në 183kg ar.[83]
Në librin e autores angleze Margaret MacMillan Paris 1919: Six Months that Changed the World gjenden pohime të tilla të gabuara si "Esat Pasha ishte dajë i Ahmet Zogut". Në të vërtetë gjyshi i Zogut nga e ëma ishte kushëri i dytë me Esad Pashën.[84] Nëpër librat e historiografisë komuniste do të përmendej vazhdimisht atentati i 23 shkurtit 1924, por pa u përmendur se kush e bëri sepse Valteri qe ndër të dënuarit me vdekje nga Gjyqi Special.[85]
Jeta private
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Muajin kur u emërua kryeministër për herë të parë hoqi prapashtesën osmane "-olli" nga mbiemri, duke e ndryshuar mbiemrin nga Zogolli në Zogu.[86]
Si mbret, Zogu u nderua nga qeveritë e Italisë, Luksemburgut, Egjiptit, Jugosllavisë, Francës, Rumanisë, Greqisë, Belgjikës, Bullgarisë, Hungarisë, Polonisë, Çekosllovakisë dhe Austrisë.[87]
Zogu ishte i fejuar me të bijën e Shefqet bej Vërlacit para se të bëhej mbret. Sidoqoftë, pasi u bë mbret ai ndërpreu lidhjen që kishte.
Më 27 prill 1938 u martua me konteshën Geraldina Appony me martesë civile.[88] Fëmija i tyre i vetëm Princi i Kurorës Leka, lindi në Shqipëri më 5 prill 1939. Lindja u lajmërua me të shtëna topash.[89]
Nderime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Gjatë qëndrimit të tij në Vjenë, u dekorua nga perandori Karli I me Kryqin e Komandantit të Urdhrit të Franc Jozefit I.[16]
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Zog I, King of Albania
- ^ Vlora, Eqrem bej; Von Godin, Amelie (2010) [1955-56]. Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri. Vëll. 2. Tiranë: 55. fq. 208. ISBN 978-99943-56-89-8.
- ^ Selmani, Hysen (2008). Nga notimet e Zogut I, mbretit të Shqiptarëve. Kristalina-KH. fq. 19–20. ISBN 9995665085.
- ^ a b c d e Frashëri, Kristo (2013). "Si e manipuluan historinë biografët e Ahmet Zogut". shqiptarja.net. Marrë më 10 gusht 2020.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Ushtelenca, Ilir (1995). Diplomacia e Mbretit Zogu I-rë (1912-1939). Tiranë: Ermir. fq. 22. OCLC 654712082.
- ^ "King Zog Tells his Story to Herman Bernstein, former United States Minister to Albania". albanianhistory.net (në anglisht). 1933. Marrë më 9 janar 2019.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Elsie, Robert (2013). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 257. ISBN 9781780764313.
- ^ a b c d e Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 259–260. ISBN 9789994356225.
- ^ Ikonomi, Ilir (2016). Esat pashë Toptani: njeriu, lufta, pushteti. Tiranë: Uet press. fq. 140nb. ISBN 978-9928-190-91-8.
- ^ Gawrych, George (2006). The Crescent and the Eagle: Ottoman rule, Islam and the Albanians, 1874–1913 (në anglisht). London: IB Tauris. fq. 34. ISBN 9781845112875.
- ^ a b Vlora 2003, pp. 452-453
- ^ Nosi, Lef (2007). Dokumente historike 1912-1918. Tiranë: ASH, Instituti i Historisë. fq. 288nb. ISBN 978-99956-10-04-3.
- ^ Nosi 2007, p. 185.
- ^ Ikonomi 2016, p. 367.
- ^ Akademia 2007, p. 68-69.
- ^ a b c d Hoxha, Donika (shtator 2010). "Foreign Policy of Ahmet Zog: The Independent State of Albania 1920-1926 (PhD)" (PDF). uniroma1.it (në anglisht). fq. 29–30. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 8 janar 2020. Marrë më 9 janar 2019.
- ^ Blumi, Isa (8 tetor 2014). "Albania". 1914-1918-online (në anglisht).
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Frashëri 2014, f. 35-36.
- ^ Frashëri 2014, f. 36-37.
- ^ Frashëri 2014, f. 37.
- ^ Frashëri 2014, f. 38.
- ^ Frashëri 2014, f. 39.
- ^ Tocci, Terenzio (2018) [1938]. Mbreti i Shqiptarëve. Tiranë: Reklama. fq. 79–80. ISBN 9789928256331.
- ^ Këlcyra 2012, p. 89.
- ^ Hoxha 2010, pp. 54-55.
- ^ Tocci 2018, p. 95.
- ^ a b Frashëri 2014, f. 40.
- ^ Akademia 2007, f. 465-467.
- ^ Frashëri 2014, f. 40-41.
- ^ Frashëri 2014, f. 53.
- ^ Krasniqi, Afrim (26 qershor 2014). "Dokumentet ekskluzive: dekretet e Nolit për gjyqet politike, shtetrrethimin dhe propagandën". Shqiptarja.com. 149: 18–19.
- ^ Akademia 2007, f. 238.
- ^ Frashëri 2014, f. 68-69.
- ^ Akademia 2007, f. 242.
- ^ Врангелове команде у Врању и Скопљу (shqip. Komanda e Vrangelit në Vranjë dhe Shkup). // Politika, 4 Dhjetor 2017, fq. 19.
- ^ Daci, Fatos (5 shtator 2015). "Si e solli Jugosllavia Ahmet Zogun në fron". Koha Jonë. Arkivuar nga origjinali më 9 janar 2016. Marrë më 8 janar 2019.
- ^ Akademia 2007, f. 247.
- ^ Frashëri 2014, f. 69.
- ^ Milo 2014, f. 20-21.
- ^ a b Frashëri 2014, f. 112.
- ^ Akademia 2007, f. 286-287.
- ^ a b Akademia 2007, f. 289.
- ^ Frashëri 2014, f. 115.
- ^ a b Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. fq. 20–21. ISBN 9789928440358.
- ^ Akademia 2007, f. 363.
- ^ Milo 2014, f. 35.
- ^ Milo 2014, f. 36.
- ^ a b c Frashëri 2014, f. 128.
- ^ a b c Frashëri 2014, f. 123-124.
- ^ a b c d Elsie 2013, pp. 508-509.
- ^ a b Kapri, Erald (2017). "Sekretet e Luftës: Shqipëria tjetër në dokumentet britanike". Instituti i Studimeve Historike "Lumo Skëndo". fq. 491–498. ISBN 978-9928-4416-3-8.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh|url=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ a b Fischer 1999, f. 241.
- ^ Kolstø 2016, p. 204.
- ^ Kolstø, Pål (2016). Strategies of Symbolic Nation-building in South Eastern Europe (në anglisht). Routledge. fq. 201. ISBN 9781317049357.
- ^ a b Vlora 2003, p. 542.
- ^ Clayer, Nathalie (2007). "Saints and Sufis in post-Communist Albania". përmbledhur nga Kisaichi, Masatoshi (red.). Popular Movements and Democratization in the Islamic World (në anglisht). London/New York: Routledge. fq. 34. ISBN 9781134150618.
- ^ Jordan, Peter (2015). "An Exception in the Balkans: Albania's Multiconfessional Identity". përmbledhur nga Brunn, Stanley (red.). The Changing World Religion Map: Sacred Places, Identities, Practices and Politics (në anglisht). Vëll. 1–5. Springer. fq. 1588. ISBN 9789401793766.
- ^ Hoxha, Çelo (2013). Fillimet e Diktaturës Komuniste në Shqipëri 1944-1948. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. fq. 8. ISBN 9789928168115.
- ^ Juka 2018, p. 17.
- ^ Frashëri 2014, p. 115.
- ^ Frashëri 2014, p. 117.
- ^ Fischer 1999, p. 6-7
- ^ Fischer 1999, pp. 25-26
- ^ Abas Ermenji, Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë, 472-473.
- ^ a b c d e Fischer 1999, pp. 33-34.
- ^ Fischer 1999, f. 6-7.
- ^ a b Akademia 2007, f. 295.
- ^ Akademia 2007, f. 296.
- ^ Frashëri 2014, f. 117.
- ^ Akademia 2007, p. 186.
- ^ Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së. Tiranë: 55. fq. 62–63. ISBN 978-9928-106-38-4.
- ^ Sinani, Shaban (2009). Hebrenjtë në Shqipëri ─ Prania dhe shpëtimi. Tiranë: Naimi. fq. 93, 96–97. ISBN 978-99956-800-2-2.
- ^ Frashëri 2014, f. 125.
- ^ Dervishi, Kastriot (16 dhjetor 2015). "Margaret Hezllak dhe shërbimi i saj ndaj çështjes shqiptare". 55. 6315: 16–17.
- ^ Vlora 2003, pp. 503-504.
- ^ Dervishi, Kastriot (2010). Plumba politikës. Tiranë: 55. fq. 222–223. ISBN 978-99943-56-43-0.
- ^ a b Dervishi 2010, p. 220.
- ^ Pearson, Owen (2004). Albania in the Twentieth Century, A History: Albania and King Zog, 1908-39 (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 331. ISBN 9781845110130.
- ^ Dervishi 2010, p. 114.
- ^ Frashëri, Kristo (2013). "Kristo Frashëri: Ju rrëfej Ahmet Zogun e vërtetë". shqiptarja.net. Marrë më 10 gusht 2020.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Frashëri 2014, f. 170.
- ^ Dervishi, Kastriot (2 shkurt 2003). "Si u grabit ari shqiptar: [Në kohën e Mbretit Zog]". 55. 27: 12–13.
- ^ Milo 2014, f. 37.
- ^ Ikonomi 2016, p. 489.
- ^ Dervishi 2010, p. 224.
- ^ Akademia 2007, f. 186.
- ^ "The House of Zogu". royalark (në anglisht).
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Akademia 2007, p. 353-354
- ^ Akademia 2007, p. 363
Literatura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Akademike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Akademia e Shkencave të Shqipërisë (2007). Historia e popullit shqiptar. Vëll. 3. Tiranë: Toena.
- Frashëri, Kristo (2014). Ahmet Zogu: Vështrim historik. Tiranë: M & B.
- Fischer, Bernd (1996). Mbreti Zog dhe perpjekja per stabilitet ne Shqiperi. Çabej.
- Fischer, Bernd Jürgen (1999). Albania at War, 1939-1945. C. Hurst & Co. Publishers. ISBN 978-1-85065-531-2.
- Milo, Paskal (2014). Shqiptarët në luftën e dytë botërore. Toena.
Kujtime dhe publicistikë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Këlcyra, Ali (2012). Frashëri, Tanush (red.). Shkrime për historinë e Shqipërisë. Tiranë: Onufri. fq. nb. ISBN 978-99956-87-81-6.
- Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925 [Lebenserinnerungen]. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. ISBN 99927-780-6-7.
- Gabime mungese shënjestrimi me stampat Harv dhe SFN
- Gabime CS1: Mungon adresa
- Faqe me lidhje materialesh multimediale të prishura
- Familja Zogu
- Lindje 1895
- Vdekje 1961
- Kryeministra të Shqipërisë
- Kryetarë të Shqipërisë
- Mbretërit e Shqipërisë
- Myslimanë suni shqiptarë
- Ministra të Brendshëm të Shqipërisë
- Njerëz nga Mati
- Personeli ushtarak shqiptar i Luftës së Koplikut